Çfarë bën moduli
Inventari e lidh faturën me magazinën. Çdo shitje zbret nga gjendja dhe çdo blerje e ngarkon atë, pa e shkruar njeri dy herë. Rreth kësaj vijnë transferimet mes magazinave, kostoja mesatare e artikullit, historiku i lëvizjeve dhe raportet e gjendjes.
U shkon bizneseve që shesin mall: dyqane, supermarkete, distributorë, bare dhe restorante, furra dhe prodhues. Kush shet vetëm shërbime nuk ka nevojë për të.
Shitja që zbret gjendjen
Kur lëshoni faturën ose kur mbaroni shitjen te arka, artikujt zbriten nga magazina në atë moment. Nuk ka listë për t'u përditësuar në mbrëmje dhe nuk ka rakordim që pret fundjavën.
Nëse artikulli nuk mbahet në gjendje vetë, por del nga një artikull tjetër, si gota nga shishja, lidhen të dy dhe sasia zbritet nga artikulli burim. Kështu arka shet copë ndërsa magazina mban shishe.
Blerja që e ngarkon
Faturat e furnitorëve vijnë vetë nga sistemi qeveritar i faturës elektronike. Ju i shihni, i pranoni, dhe nga fatura e pranuar krijohet hyrja në magazinë. E njëjta faturë që deklaron blerjen, ngarkon edhe stokun.
Kur furnitori nuk lëshon faturë elektronike, hyrja bëhet në tri mënyra të tjera: me dorë, me importim nga Excel, ose duke ndërtuar hyrjen nga lidhja e verifikimit të faturës fiskale që ju jep furnitori. Rezultati është i njëjti dokument hyrjeje.
Kutia dhe copa
Furnitori shet me kuti me dymbëdhjetë, ju shitni me copë. Artikullin e tij e lidhni një herë me artikullin tuaj dhe i vendosni faktorin. Nga ai moment një kuti hyn si dymbëdhjetë copë në gjendje, dhe herën tjetër programi e njeh vetë atë artikull te fatura e furnitorit.
Nëse më vonë e ndryshoni lidhjen ose faktorin, hyrja e asaj fature rindërtohet sipas rregullit të ri. Gjendja nuk mbetet e llogaritur me diçka që nuk vlen më.
Kostoja dhe fitimi
Me çdo hyrje të re, kostoja e artikullit rillogaritet si mesatare e asaj që keni në magazinë. Blerja e sotme përzihet me atë që kishit, dhe shitja e nesërme del me këtë kosto.
Kjo është arsyeja pse fitimi në raporte është shifër dhe jo ndjesi. Nuk merret çmimi i fundit i blerjes, që do ta shtrembëronte fitimin sa herë ndryshon çmimi i furnitorit, dhe nuk merret një kosto e vendosur me dorë që vjetërohet pa u kujtuar askush.
Hyrje, dalje, transferime
Përveç lëvizjeve që vijnë nga faturat, mund të regjistroni hyrje dhe dalje të veçanta, për shembull mall i prishur, dhurata ose vetë-konsum. Transferimi mes magazinave ose njësive bëhet me fletë që lë gjurmë në të dyja anët dhe printohet.
Historiku i çdo artikulli tregon nga erdhi dhe ku shkoi, me dokumentin që e shkaktoi çdo lëvizje. Kur diçka nuk përputhet, nuk kërkoni në kujtesë por në listë.
Raportet
- Situacioni i magazinës, i detajuar për artikull ose i grupuar, me eksport në Excel.
- Gjendja dhe lëvizjet për çdo artikull, me filtrim sipas periudhës dhe magazinës.
- Historiku i artikullit, dokument pas dokumenti.
- Fitimi për produkt, i llogaritur me koston mesatare në momentin e shitjes.
Nëse e përpunoni mallin
Kush prodhon para se të shesë, si furrat dhe pastiçeritë, e ka Fletën e Prodhimit brenda inventarit, pa pagesë shtesë. Përcaktoni recetën një herë, dhe çdo prodhim zbret përbërësit ndërsa artikulli i gatshëm hyn në magazinë me koston e vet.
Pyetje të shpeshta
A më duhet inventari nëse shes vetëm shërbime?
Jo. Inventari ka kuptim kur shitni mall që hyn dhe del nga një gjendje. Për shërbime, faturimi funksionon pa të.
Po artikujt që nuk mbahen në gjendje, si gota birre nga një shishe?
Artikulli që shitet mund të lidhet me artikullin nga i cili del, bashkë me sasinë që zë. Gjendja e tij llogaritet nga artikulli burim, prandaj nuk ju duhet të mbani dy inventarë paralelë.
Po furnitorët që nuk lëshojnë faturë elektronike?
Hyrja bëhet me dorë, importohet nga Excel, ose ndërtohet nga lidhja e verifikimit të faturës fiskale. Pjesa tjetër ecën njësoj.
A punon me disa magazina ose disa njësi?
Po. Çdo magazinë ka gjendjen e vet, dhe malli lëviz mes tyre me fletë transferimi që lë gjurmë në të dyja anët.
Nëse ndryshoj lidhjen e një artikulli, çfarë ndodh me hyrjet e vjetra?
Hyrja e asaj fature rindërtohet sipas lidhjes së re, që gjendja të mos mbetet e llogaritur me një rregull që nuk vlen më.
A më heq programi nevojën për inventar fizik?
Jo. Numërimi fizik mbetet detyrë e biznesit. Ndryshimi është se e krahasoni me një gjendje që qëndron vetë, në vend që ta rindërtoni nga fillimi çdo herë.
A shihet fitimi për çdo artikull?
Po. Raporti i fitimit për produkt e nxjerr diferencën mes çmimit të shitjes dhe kostos mesatare të artikullit në momentin e shitjes.
Çmimi
Inventari dhe magazina janë modul shtesë që aktivizohet sipas abonimit tuaj. Na kontaktoni për ta shtuar te paketa juaj. Nëse blerjet ju vijnë nga sistemi qeveritar, shihni edhe faturën pa para në dorë, sepse pjesa më e madhe e hyrjeve niset prej andej.