Çfarë është mbyllja e vitit
Në fund të një viti ushtrimor, biznesi duhet të nxjerrë pasqyrat financiare. Puna e vërtetë atje nuk është llogaritja, por mbledhja: faturat në program, blerjet pjesërisht në dosje, amortizimi në një Excel të veçantë, pagat diku tjetër.
Ky modul e trajton mbylljen si një rrugë me hapa. Shifrat që programi i ka nga faturat tuaja i llogarit vetë dhe jua paraqet për konfirmim. Për pjesën që s'ka nga ta dijë, ju bën pyetje të drejtpërdrejta. Në fund, viti mbyllet dhe pasqyrat dalin bashkë.
Hapat e asistentit
Çdo hap ruhet veç, prandaj puna mund të ndahet në disa ditë pa u nisur nga e para.
- Identiteti. Të dhënat që dalin në kapakun e pasqyrave: adresa e selisë, data e krijimit, numri i regjistrit tregtar, fusha e veprimtarisë dhe kapitali themelor. Mund të merren me një klikim nga Regjistri Tregtar, që të mos i shkruani me dorë. Aty zgjidhni edhe normën e tatim-fitimit dhe nëse shifrat paraqiten në lekë apo në mijëra.
- Gjendjet hapëse. Shfaqen vetëm kur duhen, pra kur viti paraardhës nuk është i mbyllur te ne.
- Aktivet afatgjata. Mjetet e qëndrueshme dhe amortizimi i tyre.
- Pagat. Lista e personelit dhe shumat, me propozim nga pagesat e regjistruara.
- Huatë. Gjendjet afatshkurtra dhe afatgjata, me normën përkatëse.
- Detyrime të tjera. Çdo detyrim që nuk hyn te dy të mësipërmet.
- Tatimi. Norma, dhe baza mbi të cilën njihen shpenzimet operative: nga pagesat e kryera me bankë dhe arkë, ose nga faturat e blerjes të regjistruara. Të dyja shifrat ju shfaqen që të zgjidhni me dije, jo me hamendje.
- Rishikimi. Pamja e plotë para se të mbyllet viti.
Çfarë llogaritet vetë
Programi nuk ju pyet për atë që tashmë e di. Nga të dhënat tuaja nxjerr shitjet dhe blerjet e periudhës, të arkëtueshmet nga klientët dhe të pagueshmet ndaj furnitorëve, gjendjen e arkës, lëvizjet bankare të importuara, vlerësimin e inventarit, shpenzimet operative dhe ato financiare, si dhe librat e TVSH-së.
Ajo që mbetet për ju është pjesa që nuk kalon nga faturat: pagat, huatë, detyrimet e tjera dhe konfirmimi i aktiveve. Kjo është arsyeja pse mbyllja zgjat orë dhe jo javë.
Aktivet afatgjata dhe amortizimi
Mjetet e qëndrueshme zakonisht kërkohen nga kujtesa, dhe kujtesa gabon. Këtu programi shikon faturat tuaja të blerjes dhe propozon çfarë duket si mjet i qëndrueshëm, me faturën nga e cila u gjet.
Ju e pranoni ose e hidhni poshtë propozimin. Për atë që pranoni, vendosni datën e blerjes, vlerën dhe jetëgjatësinë në vite, dhe amortizimi ecën vetë në pasqyrat e këtij viti dhe të atyre që vijnë. Mjetet e paprekshme trajtohen veç nga ato të prekshme.
Kontrollet para mbylljes
Para se viti të mbyllet, programi kryen kontrolle mbi vetë të dhënat dhe ju tregon çfarë nuk mbyllet: shifra që nuk përputhen mes tyre, gjendje që dalin negative, ose të dhëna që mungojnë. Këto nuk janë pengesë formale, janë vendet ku pasqyra do të ishte e gabuar pa i parë njeri.
Çfarë del në fund
Eksporti është një skedar Excel me disa fletë, me radhët dhe etiketat sipas modelit që kontabilistët përdorin tashmë:
- Kapaku me identifikimin dhe periudhën.
- Bilanci kontabël.
- Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, edhe sipas funksionit.
- Pasqyra e fluksit të parave, me metodën indirekte dhe atë direkte.
- Pasqyra e lëvizjes së kapitaleve.
- Pjesa e tatimit, librat e TVSH-së dhe lista e pagave.
- Bilanci i provës.
Mbyllja, rihapja dhe gjurma
Kur viti mbyllet, shifrat ngrijnë ashtu si ishin në atë moment. Një faturë e regjistruar më vonë nuk e lëviz më pasqyrën e mbyllur, dhe kjo është pikërisht qëllimi.
Nëse diçka duhet ndrequr, viti rihapet, por vetëm me një arsye të shkruar. Mbetet gjurmë se kush e rihapi, kur dhe pse, dhe historiku i ndryshimeve mbetet i lexueshëm.
Pyetje të shpeshta
A e zëvendëson kontabilistin?
Jo, dhe nuk e synon. Programi mbledh shifrat që i ka nga faturat, banka dhe arka, dhe i paraqet në formën që kontabilisti pret. Gjykimin profesional, klasifikimet e veçanta dhe dorëzimin i bën kontabilisti.
Nga vijnë shifrat?
Nga të dhënat tuaja në fature.al: faturat e shitjes, faturat e blerjes, arkëtimet dhe pagesat, gjendja e arkës, lëvizjet bankare të importuara dhe vlerësimi i inventarit. Ato që programi nuk ka nga t'i dijë, si pagat, huatë dhe detyrimet e tjera, i plotësoni ju.
Po nëse ky është viti i parë që përdor fature.al?
Atëherë asistenti shton një hap për gjendjet hapëse: para në arkë dhe bankë, të arkëtueshme nga klientët, inventari, të pagueshme furnitorëve dhe detyrimet tatimore. Disa prej tyre vijnë si propozim nga faturat tuaja dhe ju i konfirmoni.
A mund të ndryshoj diçka pasi e kam mbyllur vitin?
Po, por jo në heshtje. Viti rihapet me një arsye të shkruar, dhe mbetet gjurmë se kush e rihapi, kur dhe pse. Kjo është mbrojtje për ju, sepse një pasqyrë e ndryshuar pa gjurmë nuk mbrohet dot para askujt.
Në ç'format dalin pasqyrat?
Në një skedar Excel me disa fletë, me radhët dhe etiketat sipas modelit që kontabilistët përdorin tashmë, që të mos i rishkruajnë në një shabllon tjetër.
A i dorëzon vetë deklaratat?
Jo. Dokumentet i përgatit dhe i eksporton. Dorëzimi mbetet përgjegjësi e biznesit dhe e kontabilistit.
Kush mund ta hapë këtë modul brenda biznesit?
Vetëm përdoruesit që kanë të drejtat përkatëse. Pasqyrat përmbajnë të gjithë pamjen financiare të biznesit, prandaj nuk hapen nga çdo operator arke.
Çmimi
Pasqyrat vjetore janë modul shtesë që aktivizohet sipas abonimit tuaj. Na kontaktoni për ta shtuar te paketa juaj. Sa më shumë nga viti të ketë kaluar nëpër fature.al, aq më pak mbetet për t'u plotësuar me dorë, prandaj ia vlen të aktivizohet para se të mbarojë viti, jo në mars.